Bashkimi Europian miraton paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë
2024-06-25 15:07:15

Flamujt e BE-se (Foto Msn)

Flamujt e BE-se (Foto Msn)

Bashkimi Europian ka miratuar paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të konfliktit të nisur me Ukrainën, e cila përfshin ndalimin e rimbushjes së gazit të lëngshëm natyror të Rusisë në BE për qëllime të dërgimit të tij në vendet e treta, shkruan “Panorama”.

Kjo paketë i ofron gjithashtu BE-së më shumë mjete për të luftuar shmangien e sanksioneve.

Sanksionet përfshijnë po ashtu masa kufizuese ndaj 116 individëve dhe subjekteve të tjera për shkak të veprimeve të tyre kundër Ukrainës.

“Sanksionet e reja vënë në shënjestër sektorë të vlerës së lartë të ekonomisë ruse si, energjia, financat dhe tregtia, si dhe e bëjnë tejet të vështirë shmangien e sanksioneve të BE-së”,- bëhet e ditur në një deklaratë të publikuar nga Këshilli i BE-së.

Paketa e re e sanksioneve përfshin edhe ndalimin e përdorimit të Sistemit për Transferta të Mesazheve Financiare (SPFS), një lloj sistemi SWIFT me bazë në Moskë.

Partitë politike dhe organizatat, si dhe OJQ-të nuk do të lejohen më të pranojnë financim nga Rusia.

“Sanksionet ua ndalojnë mediave të BE-së, partive politike dhe organizatave analitike të marrin fonde nga burime ruse. Janë vendosur masa edhe kundër kompanive nga Kina, Kazakistani, Kirgistani, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për anashkalimin e sanksioneve ndaj Rusisë”,- bëhet e ditur në deklaratë. (Fatosi)