"Chang'e-6" i Kinës sjell mostrat e para nga ana e pasme e Hënës në Tokë
2024-06-25 18:35:18

Zhang Kejian, administrator i Administratës Kombëtare të Hapësirës së Kinës, shpalli kthimin e suksesshëm të sondës "Chang'e-6“ në Tokë në Qendrën e Kontrollit të Fluturimeve Kozmike të Pekinit, më 25 qershor 2024 /CMG

Kthyesi i sondës "Chang'e-6" u ul në Tokë të martën, duke sjellë mostrat e para në botë të mbledhura nga ana e pasme e Hënës dhe duke shënuar një arritje tjetër të shquar në eksplorimin e hapësirës prej Kinës. 

Misioni është një sukses i plotë, sipas Administratës Kombëtare Hapësinore të Kinës (CNSA). 

Kthyesi do të dërgohet nëpërmjet ajrit në Pekin për t'u hapur dhe mostrat hënore do t'i jepen një ekipi shkencëtarësh për ruajtje, analizim dhe studim të mëtejshëm, bëri të ditur CNSA-ja. 

foto nga

Kthyesi i sondës "Chang'e-6" u ul në Tokë / foto nga CFP

"Misioni 'Chang'e-6' përfaqëson një gur kilometrik të rëndësishëm në historinë e eksplorimit të Hënës nga njerëzimi dhe do të kontribuojë në njohjen më të gjithanshme të evolucionit të Hënës," tha Yang Wei nga Instituti i Gjeologjisë dhe Gjeofizikës i Akademisë Kineze të Shkencave. 

"Mostrat e reja do të çojnë pa mëdyshje në zbulime të reja. Tërheqja prej Hënës është rrënjosur në kulturën kineze përgjatë shekujve, siç e tregon miti i Çang'e, e cila shkoi në Hënë dhe jetoi aty. Tani shkencëtarët kinezë janë duke pritur me padurim mundësinë për të kontribuuar në shkencën hënore," theksoi Yang. 

Mostrat hënore të sjella nga misioni i mëparshëm "Chang'e-5" tashmë kanë tërhequr aplikime për të pasur qasje në to nga shkencëtarët ndërkombëtarë, një proces që ka nisur tashmë prej kohësh. Sonda hënore "Chang'e-6" mbajti katër ngarkesa ndërkombëtare të zhvilluara së bashku nga shkencëtarët kinezë dhe ata të huaj. Mund të merret me mend që hapja e veprimtarive kineze të eksplorimit të Hënës do të pasqyrohet edhe në studimin e mostrave hënore të "Chang'e-6", vuri në dukje më tej Yang Wei. 

Komuniteti shkencor i eksplorimit hënor dhe i gjithë njerëzimi pritet të marrë frytet e përpjekjeve të bashkëpunimit të bëra nga shkencëtarët ndërkombëtarë nga një gamë e gjerë rajonesh të botës e disiplinash, shtoi Yang.

Kthyesi i sondës "Chang'e-6" u ul në Tokë / foto nga CFP