Për shkak të reshjeve të dendura, niveli i ujit të lumit Jance vazhdon të rritet në qytetin Nankin të provincës Jiangsu në Lindje të Kinës, më 22 qershor 2024. /CFP
Përpjekjet e Kinës për kontrollin e përmbytjeve kanë hyrë në një fazë kritike, me 33 lumenj në mbarë vendin që tejkaluan nivelet e paralajmërimit deri të hënën, sipas Ministrisë së Burimeve Ujore.
Si pasojë e rrebesheve të mëdha e të vazhdueshme, në 22 lumenj në krahinat Jiangxi, Hubei, Anhui, Zhejiang dhe Guizhou është raportuar se ujërat e kanë tejkaluar nivelin e alarmit. Ndërkohë, në 11 lumenj në provincën Heilongjiang të Kinës Verilindore ujërat janë ngritur mbi vijën paralajmëruese.
Banorë duke kaluar përmes shiut në qytetin Nanchang të provincës Jiangxi në Lindje të Kinës, më 24 qershor 2024. /CFP
Zyra shtetërore kineze e parandalimit të përmbytjeve dhe e përballimit të thatësirës e ngriti të hënën përgjigjen urgjente ndaj përmbytjeve në nivelin III në provincat Zhejiang, Anhui, Jiangxi dhe Hunan, pas vendimit të observatorit kombëtar për të lëshuar alarmin e kuq për stuhi në këto zona.
Kina ka një sistem të reagimit urgjent për kontrollin e përmbytjeve me katër nivele, ku niveli I është përgjigjja më urgjente, dhe një sistem paralajmërues për motin ekstrem po me katër nivele, të kategorizuara sipas ngjyrës, me të kuqen që përfaqëson paralajmërimin më serioz, të pasuar nga portokallia, e verdha dhe bluja.
Rritje e nivelit të ujit të Liqenit Perëndimor në qytetin Hangzhou të provincës Zhejiang, në Lindje të Kinës, më 24 qershor 2024. /CFP
Situata e parandalimit të përmbytjeve në rrjedhën e lumit Jance është bërë e zymtë, pasi uji në degët e pellgut të liqenit Poyang i ka kaluar nivelet e paralajmërimit, ndërsa vëllimi i ujit në rrjedhën kryesore të pjesës së mesme dhe të poshtme të lumit Jance vazhdon të rritet, sipas Komisionit të Burimeve Ujore të Lumit Jance pranë Ministrisë së Burimeve Ujore.
Gjatë 10 ditëve në vijim, rrjedha e mesme dhe ajo e poshtme e lumit Jance do të përjetojnë reshje ekstreme të dendura, që mund të shkaktojnë përmbytje si në degët, ashtu edhe në rrjedhën kryesore, sipas parashikimit të komisionit.
Ujëvara Huangguoshu në qytetin Anshun të provincës Guizhou në Jugperëndim të Kinës pati një fluksi mahnitës prej 381 metrash kubë në sekondë, më e larta e vitit, më 20 qershor 2024. /CFP
Kina po bën të gjitha përpjekjet për të luftuar përmbytjet. Organet e pushtetit vendor kanë vendosur të rrisin rrjedhën e rezervuarit Sanxia, duke filluar nga e marta, në përgatitje për përmbytjet e mëvonshme.
Një ekip tjetër pune do të dërgohet në provincën Zhejiang për të ndihmuar në përpjekjet e parandalimit të përmbytjeve, njoftoi zyra shtetërore kineze e parandalimit të përmbytjeve dhe e përballimit të thatësirës, duke shtuar se ekipet e punës të dërguara në Anhui, Jiangxi dhe Hunan do të vazhdojnë punën e tyre atje.
Qendra Kombëtare Meteorologjike e Kinës të hënën në mëngjes rinovoi një alarm të kuq për stuhi, ndërsa priten reshje të dendura shiu në disa rajone të vendit.
Nga e hëna deri të dielën, shira të vazhdueshëm të rrëmbyeshëm pritet të godasin pjesë të rajoneve në jug të lumit Jance, fushën Jianghan dhe rajonet përgjatë lumenjve Jance e Huaihe. (Wang Lei/ Artan)