Publikohet raporti i parë i historisë gojore të viktimave dhe të mbijetuarve të terrorizmit në Xinjiang të Kinës
2024-06-25 17:39:57

Në fillim të këtij viti, Instituti i Komunikimit dhe Qeverisjes Kufitare i Universitetit Jinan të Kinës publikoi dokumentin e parë të Kinës për historinë gojore të viktimave dhe të mbijetuarve të terrorizmit, me titull "Raporti i historisë gojore të viktimave dhe të mbijetuarve të terrorizmit në Xinjiang të Kinës I: Ngjarja e dhunshme terroriste e 28 shkurtit 2012 në Yecheng". Raporti regjistron zërat e dëshmitarëve dhe viktimave të incidenteve të dhunshme terroriste në Xinjiang, duke treguar rreziqet e terrorizmit ndaj Kinës dhe legjitimitetin e punës së qeverisë kineze kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

Në raport vihet në dukje se terrorizmi është armiku i përbashkët i njerëzimit. Sipas statistikave jo të plota, nga viti 1990 deri në fund të vitit 2016, në Xinjiang ndodhën mijëra ngjarje të dhunshme terroriste, që shkaktuan vrasjen e shumë banorëve të pafajshëm e të qindra policëve, si edhe humbje ekonomike shumë të mëdha. 

Më 28 shkurt të vitit 2012 në orën 18, në rrugën "Xingfu" të kontesë Yecheng në Kashgar të Xinjiang-ut ndodhi një ngjarje e dhunshme terroriste. Edhe pas më shumë se dhjetë vjetëve, kjo ngjarje vazhdon t'u sjellë viktimave dhe atyre që ishin në vendndodhje kujtime të dhimbshme, zemërim e emocione të tjera që është e vështirë të zhduken natyrshëm me kalimin e kohës.

Punonjësi i dyqanit të drithërave dhe vajit në rrugën "Xingfu", Ubulqasim, është një nga pesë viktimat e këtij incidenti. Vëllai i tij i vogël Mehmet Tursun u shpreh në raport se babai i tyre qante gjithë natën. "Për familjen tonë, kjo ngjarje është si dalja e trenit prej shinave," u  shpreh ai.

Një sërë ngjarjesh të dhunshme terroriste të regjistruara në raport kanë vërtetuar se Kina, veçanërisht Xinjiang-u, është viktimë e terrorizmit, dhe puna antiterroriste e Kinës është pa dyshim e ligjshme. Ngjarjet e sulmeve terroriste kanë dëmtuar rëndë sigurinë e jetës dhe të pasurisë së banorëve të kombësive të ndryshme, duke shkelur rëndë dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Raporti hedh poshtë gjithashtu shpifjet dhe gënjeshtrat e forcave që synojnë përçarjen e Kinës, duke zbuluar hipokrizinë e së ashtuquajturës "pikëpamje e të drejtave të njeriut" të këtyre forcave. (Fani)