Foto nga Xinhua
Mëkëmbja e vazhdueshme, transformimi, përmirësimi dhe reformimi i thellë i ekonomisë kineze do të sigurojnë hapësirë të re për rritjen e sipërmarrjeve nga e gjithë bota, tha të martën kryeministri kinez Li Qiang në një simpozium me përfaqësuesit e biznesit të huaj në Davosin Veror të këtij viti, që po zhvillohet në qytetin Dalian të Kinës Verilindore.
Li theksoi se Kina është e gatshme të punojë me kompanitë nga mbarë bota për të nxitur zhvillimin inovator të ekonomisë globale.
"Sipërmarrjet janë kyçi i gjallërisë ekonomike," theksoi kryeministri, duke shtuar se vendi i tij ka bërë përpjekje të mëdha për nxitjen e një mjedisi biznesi të nivelit botëror të orientuar nga tregu e të bazuar në ligj, për krijimin e një tregu kombëtar të unifikuar dhe për nxitjen e zhvillimit e rritjes së të gjitha llojeve të subjekteve të biznesit.
Li tha se Kina do të vijojë të shtojë hapjen e nivelit të lartë, të lehtësojë më tej hyrjen në treg, të hapë sektorin e shërbimeve dhe të zgjerojë hapjen institucionale, për të ofruar më shumë mundësi dhe një mjedis më të mirë për investitorët globalë.
Li shprehu shpresën se sipërmarrësit nga të gjitha vendet do të mbështesin me vendosmëri globalizimin ekonomik dhe tregtinë e lirë. Ai i mirëpriti ata që të investojnë në Kinë dhe të ndajnë mundësitë e zhvillimit me cilësi të lartë të Kinës.