Dy shkencëtarë fitojnë çmimin më të lartë shkencor të Kinës për vitin 2023
2024-06-24 16:55:13

Eksperti i informacionit gjeohapësinor Li Deren dhe studiuesi i fizikës së lëndës së kondensuar Xue Qikun fituan të hënën Çmimin Shtetëror të Shkencës dhe të Teknologjisë të Kinës, nderi më i lartë shkencor në Kinë.

Ata e morën çmimin për kontributet e tyre të jashtëzakonshme në risitë shkencore e teknologjike gjatë Konferencës Kombëtare të Çmimit të Shkencës dhe të Teknologjisë në Pekin. 

foto nga CMG

Li Deren / foto nga CMG

Li Deren, i lindur në dhjetor 1939, është anëtar i Akademisë Kineze të Shkencave (CAS), i Akademisë Kineze të Inxhinierisë dhe Akademisë Ndërkombëtare Euraziatike të Shkencave (IEAS), si dhe anëtar korrespondent në Akademinë Ndërkombëtare të Astronautikës (IAA) dhe anëtar nderi i Shoqatës Ndërkombëtare për Fotogrametrinë dhe Matjen në Largësi (ISPRS). 

Ai është një ekspert i famshëm në botë në fushën e informacionit gjeohapësinor, me arritje të mëdha në inovacionin teorik, të integruar dhe të koordinuar të informacionit gjeohapësinor, duke dhënë një ndihmesë të madhe për ta bërë Kinën një nga tre vendet a rajonet kryesore në botë në këtë fushë. 

Xue Qikun / foto nga CMG

Xue Qikun, që ka lindur në dhjetor 1962, është një fizikan i famshëm kinez, që ka marrë Çmimin "Buckley" për kërkimet e tij të përparuara mbi izoluesit topologjikë dhe efektin kuantik jonormal "Hall". 

Ai dhe ekipi i tij ishin të parët që vëzhguan eksperimentalisht efektin kuantik jonormal "Hall" më 2012 dhe e publikuan zbulimin e tyre në revistën "Science" më 2013. Recensuesi i "Science" e përshkroi zbulimin si "një vepër simbol në fizikën e lëndës së kondensuar." Ndërsa Yang Zhenning, fitues i çmimit "Nobel" në fizikë, e quajti atë "artikulli i parë për fizikën në nivel të çmimit 'Nobel' i botuar nga një laborator kinez." 

Ekipi i Xue Qikun-it zbuloi gjithashtu superpërcjellshmërinë në temperaturë të lartë të përforcuar nga ndërfaqja në sistemin heterostrukturor, që hapi një drejtim të ri kërkimesh në fushën e superpërcjellshmërisë në temperaturë të lartë. (Artan)