Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi qeverinë e re
2024-06-25 10:28:44

Qeveria maqedonase (Foto Telegrafi)

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi me 77 vota pro dhe 22 kundër qeverinë e re të koalicionit, të përbërë nga VMRO- DPMNE, koalicioni i partive shqiptare VLEN dhe ZNAM, me kryeministër Hristijan Mickoski, shkruan “RTSH”.

Kabineti i ri qeveritar ka 24 ministra dhe pesë prej tyre janë edhe zëvendëskryeministra.

16 ministri do të drejtohen nga koalicioni i drejtuar nga partia VMRO- DPMNE, 6 nga koalicioni VLEN dhe 2 nga ZNAM. 

Kryeministri Mickoski deklaroi se qytetarët janë të ngopur me premtime ndaj duhet punë, përkushtim, përgjegjësi dhe projekte konkrete.

“Në 100 ditët e para do të rrisim standardin, do të punojmë shumë dhe shteti do të ndryshojë”,- tha Mickoski, duke u zotuar për ulje të taksave, rritje të pensioneve, investime për komunat dhe intensifikim të luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Nga opozita, Fronti Europian braktisi seancën pak para votimit, ndërsa deputetët e LSDM-së dhe të së Majtës votuan kundër.

Pas votimit të Qeverisë, Mickoski dhe ministrat u betuan, por ndryshe nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova, ai përmendi emrin kushtetues të shtetit, Maqedonia e Veriut.

Ai foli edhe për kornizën e negociatave me BE-në dhe nevojën për ndryshime kushtetuese për të vazhduar procesin e anëtarësimit. “Ky lloj diktimi bullgar në këto kushte nuk do të kalojë dhe nuk do të ketë ndryshime kushtetuese derisa unë të jem këtu”,- u shpreh ai.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut debatoi për dy ditë për qeverinë e re.

Hristijan Mickoski bëhet kryeministri i 13-të qëkur vendi ka shpallur pavarësinë. (Fatosi)