Fluksi i lartë i turistëve ka rritur pagesat me kartë bankare
2024-06-25 19:18:55

Foto CFP

Foto CFP

Fluksi i lartë i turistëve të huaj në Shqipëri dhe preferenca e tyre për të përdorur kartat bankare për blerjet apo pagesat, ka nxitur shumë biznese të instalojnë POS-e (pagesa përmes kartave bankare), shkruan “ATSH”.

Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm gjatë muajit prill 2024, janë kryer 1.5 milionë pagesa me kartë bankare, ose rreth 200 mijë më shumë se në janar 2024.

Për periudhën janar-prill, në total janë kryer mbi 5.6 milionë veprime me vlerë 23.5 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se gjatë vitit 2023, pagesat me kartë bankare regjistruan vlerat më të larta historike në numër.

Transaksione në terminalet POS arritën pothuajse në 14.5 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me vitin 2022.

Pagesat elektronike vlerësohet se janë një fenomen me ndikim pozitiv në ekonomi, pasi ndikon në uljen e informalitetit. (Fatosi)