Grupi pro palestinez sulmon ndërtesën e Universitetit të Kembrixhit
2024-06-24 11:40:46

Grupi propalestinez në Kembrixh (Foto ATSH)

Protestuesit pro palestinezë në Britaninë e Madhe kanë spërkatur me bojë të kuqe një ndërtesë historike në Universitetin e Kembrixhit, njofton ATSH.

Studentët dhe anëtarët e grupit “Palestine Action” sulmuan Shtëpinë e Senatit, një ndërtesë që është përdorur për ceremonitë e diplomimit që nga shekulli i XVIII.

Grupi tha se aksioni shënoi fundin e një viti akademik ku Universiteti i Kembrixhit ka financuar, mundësuar dhe normalizuar gjenocidin e vazhdueshëm palestinez.

Ai gjithashtu ka akuzuar universitetin për investim në kompanitë e armëve dhe partneritetet kërkimore që mundësojnë dhe normalizojnë gjenocidin palestinez të mbështetur nga Britania e Madhe dhe SHBA.

Një zëdhënës i universitetit tha se stafi e dënon ashpër “këtë akt vandalizmi”.

Studentët, muajin e kaluar u diplomuan në një vend alternativ për shkak të një proteste pro-palestineze jashtë dhomës së Senatit.

Studentët ngritën një kamp në “London School of Economics” (LSE) më 14 maj, pas një raporti që pretendonte se universiteti kishte investuar 89 milionë paund (113 milionë dollarë) në 137 kompani të përfshira në konfliktin në Gazë, lëndët djegëse fosile, industrinë e armëve dhe prodhimin e armëve bërthamore.

Universiteti nisi veprimet ligjore për të larguar grupin në fillim të këtij muaji dhe një seancë e mëtejshme për këtë çështje do të mbahet në një datë të mëvonshme.(Fatosi)