Kryemistri Rama e cilëson aplikacionin TEA udhërrëfyesin digjital të Shqipërisë turistike
2024-06-23 15:54:35

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video informuese mbi aplikacion TEA, duke e cilësuar atë si udhërrefyesin digjital të Shqipërisë turistike, me një kalendar të pasur të eventeve verore, shkruan “ATSH”.

“Shkarko aplikacionin TEA, udhërrefyesin digjital të Shqipërisë turistike, dhe do të gjesh: kalendarin e eventeve me detajet përkatëse; akomodim pranë vendeve ku shija lokale nuk mungon; si dhe kontaktet e emergjencës për çdo të papritur”,- deklaroi kryeministri Rama, duke ftuar turistët të eksplorojnë Shqipërinë si asnjëherë më parë, më të sigurt dhe më lehtë.

TEA (Tourism Events of Albania), kalendari digjital i turizmit, është një platformë e mirorganizuar e programeve turistike, kulturore dhe artistike që u shërben turistëve që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë.

Aplikacioni TEA është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion gjenden aktivitetet që ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.

Ky kalendar turistik digjital është realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit, në koordinim me institucione të tjera, si Ministria e Kulturës dhe të gjitha bashkitë e vendit.