Vendet nordike me korridor transporti ushtarak në Arktik
2024-06-22 15:05:42

foto: ATSH

foto: ATSH

Norvegjia, Suedia dhe Finlanda kanë rënë dakord të krijojnë një korridor transporti ushtarak që kalon në veri të secilit prej tre vendeve, njoftoi kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, duke e cilësuar marrëveshjen një hap të rëndësishëm për këto tre vende, tashmë të gjitha anëtare të NATO-s.


“Ramë dakord për të krijuar një korridor transporti ushtarak përmes Norvegjisë veriore, Suedisë veriore dhe Finlandës veriore. Kjo do të lejojë që personeli dhe pajisjet të transportohen shpejt nga portet norvegjeze në Finlandë nëpërmjet Suedisë”,- tha Store pas një takimi me homologun e tij suedez, Ulf Kristersson, dhe presidentin finlandez, Alexander Stubb, citon “ATSH”.


Arktiku është bërë një rajon strategjik vitet e fundit, me shkrirjen e akullit për shkak të ngrohjes globale duke hapur rrugët e transportit detar dhe duke ofruar perspektiva për shfrytëzimin e depozitave të pasurisë si nafta, gazi dhe mineralet.


Qeveria norvegjeze bëri të ditur në deklaratën e saj për shtyp se ministrat e Mbrojtjes do të udhëheqin punën për organizimin e këtij korridori transporti.


“Së bashku, ata do të identifikojnë pengesat, do të përditësojnë rregulloret dhe legjislacionin e nevojshëm dhe do të investojnë në infrastrukturën e nevojshme për të siguruar lëvizshmëri të shpejtë dhe efektive ushtarake”,- thuhet në deklaratë.