Kryediplomati europian takon homologët e Ballkanit Perëndimor
2024-06-22 15:03:07

foto: Panorama

foto: Panorama

Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Europian, Josep Borrell, u takua në Austri me ministrat e Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Diskutuam se si të ndërtojmë së bashku një Europë më të bashkuar”,- shkroi ai në rrjetin “X”.

Bashkimi Europian njoftoi më herët gjatë javës se në Austri, Borrell, përveç pjesëmarrjes në diskutime të përbashkëta, do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me kryediplomatët ballkanikë.

Fokusi i takimeve dyditore i grupit të “Ministrave të Jashtëm të Danubit” dhe “Miqve të Ballkanit Perëndimor” është te raportet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, shkruan “Panorama”.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në bllokun europian.

Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit, pasi kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim.