BE vlerëson ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve të Vendosura nga Krimi në Shqipëri
2024-06-22 15:18:48

foto: ATSH

foto: ATSH

Bashkimin Europian e vlerëson si mjaft të rëndësishme ngritjen e Zyrës për Rikuperimin e Aseteve të Vendosura nga Krimi, vendim i marrë pak ditë më parë nga qeveria shqiptare, me propozim të Ministrisë së Brendshme.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi se kjo zyrë, por edhe pr/ligji që po hartohet për Policinë e Shtetit, janë mjaft të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar, rendin dhe sigurinë, shkruan “ATSH”.

Gjatë fjalës së mbajtur në tryezën koordinuese me donatorët, të zhvilluar në Tiranë, me në fokus përmbledhjen e prioriteteve në fushën e rendit dhe sigurisë, mbasadori Gonzato deklaroi se mirëpret diskutimet për prioritetet në fushat kyçe në rrugën e Shqipërisë drejt aderimit në BE, ku përfshihet lufta kundër krimit të organizuar, rendi publik, siguria, menaxhimi i integruar i kufirit dhe i emigrantëve.

“Partnerët e BE-së dhe përtej BE-së, bashkohen në përpjekjet për ndërmarrjen e reformave për zbatimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës, që përfshijnë standarde, praktika, që krijojnë një shtet më të sigurt, që ofron siguri për qytetarët e tij dhe ku respektohen të drejtat e njeriut. Një vend më i sigurt thith më shumë investitorë dhe ushqen zhvillimin ekonomik të vendit”,- deklaroi ambasadori Gonzato.

Duke folur për sfidat që përballet Shqipëria, ambasadori Gonzato tha vendi është një zonë me risk sa i takon pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ndaj, sipas tij, duhet bashkëpunim më i gjerë me shoqërinë civile dhe jo vetëm.

Ai theksoi se ngritja e një komiteti dhe grupi pune ndërinstitucional për vendosjen e një strategjie për luftën kundër terrorizmit dhe pastrimit të parave dhe ndjekjen e rekomandimeve të dhëna në vitin 2023 në vlerësimin e riskut, është një qasje e integruar që sjell rezultate shtesë.