Presidenti Begaj takon kryebashkiakun e Hamburgut: Interes për rritjen e dialogut politik
2024-06-21 14:35:41

Presidenti Begaj (Foto ATSh)

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj(Foto ATSh)

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, u prit në një takim nga kryetari i bashkisë së Hamburgut, Peter Tschentscher, i cili u vlerësua si një sinjal pozitiv, që evidenton interesin për rritjen e nivelit të dialogut politik dhe zgjerimin e mundësive të reja të bashkëpunimit.

Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet e Shqipërisë me landet gjermane dhe mbështetjen e tyre për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, shkruan “ATSH”.

Po ashtu, në takim u nënvizua nevoja e shtimit të kontakteve dhe vizitave të ndërsjella, përfshi shkëmbimin e vizitave ndërparlamentare me Parlamentin e Hamburgut, apo midis ministrive të ndryshme.

Ndër fushat e bashkëpunimit u nënvizuan tërheqja e investimeve nga Hamburgu, arsimi profesional, transporti detar dhe porti i ri i Durrësit, qytetet e zgjuara, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, binjakëzimi me qytete shqiptare, etj.

Në takim u diskutua edhe për integrimin e komunitetit shqiptar në Hamburg dhe ndihmën e dhënë nga bashkia për shoqatat që nxisin mësimin e gjuhës amtare për fëmijët shqiptarë.

Presidenti Begaj ftoi kryebashkiakun Tschentscher për një vizitë në Shqipëri, për të diskutuar projekte konkrete të bashkëpunimit. (Irma)