Qeveria shqiptare përcakton masa parandaluese për përhapjen e zjarreve në tokat bujqësore
2024-06-21 15:05:10

Foto:VCG

Foto:VCG

Këshilli i Ministrave përcaktoi rregullat për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e zjarreve në tokat bujqësore.

Sipas këtij vendimi, djegia e masës bimore, pjesëve të tyre dhe mbetjeve bimore kryhet në periudhën, nga 30 nëntori deri në 1 prill, në përputhje me ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar.

Foto:VCG

Foto:VCG

Djegia kryhet në një zonë të kufizuar që nuk tejkalon 5% të sipërfaqes së përgjithshme të parcelës, ku prodhohet masa bimore që asgjësohet me djegie, përcjell “ATSH”.

Subjektet, pronarët ose poseduesit paraqesin kërkesën në njësinë e vetëqeverisjes vendore, e cila përmban detaje të hollësishme për kryerjen e procesit të djegies.

Kërkesa duhet të parashikojë masat mbrojtëse të marra prej subjektit për mbrojtjen nga zjarri; pëlqimin me shkrim nga pronarët ose poseduesit kufitarë të tokës bujqësore, të vërtetuar nga kryetari i fshatit.

Njësitë e vetëqeverisje vendore do të bëjnë verifikimin në terren të ngastrës ku do të ndizet zjarri dhe do të njoftojnë Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, që do të bëjë verifikimin e përmbushjes së kushteve, si dhe përcakton masa parandaluese për djegien e kontrolluar.

Djegia e masës bimore në tokat torfike është e ndaluar. (Irma)