Ministrja Kumbaro kërkon angazhimin e të gjithëve për të mbajtur plazhet e pastra
2024-06-21 15:53:24

Ministrja Kumbaro (Foto RTSh)

Ministrja Kumbaro (Foto RTSh)

Ka nisur për të tretin vit radhazi operacioni “Plazhe të pastra”. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, do të mbështesë me një operator shtesë pastrimi bashkitë bregdetare nga muaji qershor deri në shtator, që përkojnë edhe me pikun e sezonit turistik, shkruan “RTSH”.

“Modeli i mirë i pastërtisë në bregdet është sfida jonë e sezonit turistik veror të cilën nuk e përmbushim dot pa bashkëpunimin tuaj”,- deklaroi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, duke iu drejtuar qytetarëve.

Përmes këtij operacioni, Agjencia Kombëtare e Bregdetit u bashkohet ekipeve të bashkisë me pajisje pastrimi shtesë dhe burime njerëzore duke dyfishuar kapacitetet përgjatë vijës bregdetare në disa bashki deri më 15 shtator.

Procesi i pastrimit në territor kryhet nga bashkitë, por nisur nga flukset e shtuara turistike prej tre vitesh tashmë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka vendosur të mbështesë njësitë vendore gjatë muajve të fluksit.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 974 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit maj, duke e çuar në mbi 3.3 milionë shifrën totale të flukseve turistike hyrëse në pesë muajt e parë të vitit. (Irma)