Bosnjë-Hercegovina shpalos planin për të luftuar kundër korrupsionit për 2024-2028
2024-06-21 16:06:03

Këshilli i Ministrave në Bosnjë-Hercegovinë miratoi të martën vendimin mbi strategjinë kundër korrupsionit dhe planin e saj të veprimit për periudhën 2024-2028.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ky plan është në përputhje me 14 prioritetet kryesore që vendi duhet të përmbushë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Pranimi në BE është një përparësi strategjike për Bosnjë-Hercegovinën dhe lufta kundër korrupsionit është një nga sfidat kryesore për sundimin e ligjit, shkruan “Xinhua”.

Bosnjë-Hercegovina nuk ka pasur një strategji dhe plan veprimi kundër korrupsionit për pesë vitet e fundit, pasi strategjia e fundit e tillë ka skaduar në vitin 2019.

Në vitet e mëparshme, vendi regjistroi një rënie të vazhdueshme në renditjen e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI), të bërë nga “Transparency International”.

CPI-ja vlerëson 180 vende dhe territore anembanë botës sipas niveleve të tyre të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik, duke shënuar në një shkallë nga 0 (shumë i korruptuar) deri në 100 (shumë i pastër).

Sipas statistikave të CPI-së për vitin 2023, me një rezultat 35, Bosnjë-Hercegovina renditet në vendin e 108 nga 180 vende në shkallën e perceptimit të korrupsionit. Ajo ka vlerësimin më të ulët në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ka rënë në mënyrë drastike në dekadën e fundit. (Irma)