Shërbimi sekret gjerman: Regjistrohet rritje e numrit të ekstremistëve të djathtë
2024-06-20 10:18:23

Gjermani (Foto ATSh)

Gjermani (Foto ATSh)

Agjencia gjermane e Shërbimit Sekret (BfV) paralajmëroi për një rritje të numrit të ekstremistëve të djathtë dhe rritje të radikalizimit mes tyre, shkruan “ATSH”.

Duke paraqitur raportin vjetor në një konferencë për media në Berlin, kreu i BfV-së, Thomas Haldenwang, tha se grupet e ekstremit të djathtë po përpiqen të fitojnë më shumë mbështetës duke nxitur frikën nga emigrimi dhe konfliktet ndërkombëtare.

“Numri i mundshëm i ekstremistëve të krahut të djathtë në Gjermani vitin e kaluar u rrit në 40.600, një rritje prej 4.6 për qind. Numri i atyre që klasifikohen si të orientuar nga dhuna është rritur në 14.500, me 3.6 për qind rritje”,- tha ai.

Haldenwang tha se ka pasur një rritje të sulmeve të dhunshme të kryera nga ekstremistët e krahut të djathtë.

“Numri i krimeve të dhunshme është rritur me 13 për qind në 1148”,- tha ai, duke shtuar se 1016 prej tyre ishin vepra të rënda që përfshinin lëndime trupore, përfshirë katër vrasje në tentativë. (Elona)