Drejtori i Zjarrfikëses Tiranë, thirrje për kujdes: Shumica e zjarreve, të qëllimshme
2024-06-20 11:52:43

Zjarre (Foto ATSH)

Zjarre (Foto ATSH)

Numri i zjarreve për muajin qershor është rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtë e konfirmoi drejtori i Zjarrfikëses Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, në një intervistë për “RTSH”-në.

“Nëse 2-3 vitet e fundit, zjarret kanë nisur nga korriku, këtë vit kanë filluar që në qershor. Për të përballuar këtë situatë, prej 1 korriku deri në 30 shtator nxjerrim 25% të efektivit në gatishmëri”,- tha ai.

Goxhaj u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë kësaj periudhe të kenë kujdes të shtuar.

“Ne nuk jemi një vend që zjarret vijnë nga temperaturat e larta, por shkaktohen nga dora e njeriut, qoftë nga pakujdesia, qoftë qëllimisht. Qytetarët gjatë këtyre muajve nuk duhet të përdorin zjarret për eliminimin e mbetjeve bujqësore”,- theksoi Goxhaj.

Teksa ka folur për ndërhyrjet në zonat urbane, drejtuesi i Zjarrfikëses Tiranë po ashtu ka një kërkesë për drejtuesit e automjeteve.

“Ne duam hapësira më të mëdha dhe u bëjmë thirrje qytetarëve në blloqet e banimit t’i parkojnë automjetet në vendet e duhura, sepse shpesh bëhen pengesë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që Shërbimi Zjarrfikës nuk do të reagojë”, - deklaroi ai. Goxhaj ka theksuar se Shërbimi Zjarrfikëses në qarkun Tiranë i ka të gjitha kapacitetet për t’u përballur me situatën e zjarreve si dhe ka bashkëpunim me instancat e tjera vendore për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në kohën e duhur. (Elona)