Parlamenti bullgar dështon në zgjedhjen e kryetarit të ri
2024-06-20 15:03:41

Parlamenti bullgar (Foto Rtsh)

Parlamenti bullgar (Foto Rtsh)

Parlamenti i Bullgarisë shtyu të mërkurën seancën për zgjedhjen e kryetarit të ri, pasi asnjëra prej kandidaturave nuk mori mbështetjen e kërkuar.

Në zgjedhjet e 9 qershorit, partia GERB e ish-kryeministrit Boyko Borissov fitoi shumicën e votave, por jo shumicën e mandateve parlamentare (68 të tilla nga 240 gjithsej), që u deshën për të zgjedhur kandidaten Raya Nazaryan si kryeparlamentare, shkruan “RTSH”.

Ajo mori 115 vota pro në raundin e parë të votimit, 69 kundër dhe 53 abstenime. 

Borissov tha se partisë së tij si fituese e zgjedhjeve i takon vendi i kryeparlamentarit. Por, pa pasur mbështetjen e partive të tjera vendi rrezikon mos të formojë dot as qeverinë e re.

“Nuk jam optimist. Tradicionalisht partia më e madhe merr kryetarin e Parlamentit. Vendi është drejt zgjedhjeve të reja, sepse nuk ka parti të përgjegjshme. Nuk formojmë dot koalicion vetëm me Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë (MRF), por duhet një format më i gjerë”,- tha ish-kryeministri Borissov, duke sugjeruar se qeveria e re duhet formuar me të paktën tri prej forcave më të mëdha politike.

Zgjedhjet e këtij muaji ishin të gjashtat në tri vite dhe pa konsensus mund të shkohet sërish drejt kutive të votimit.  (Elona)