Ministri Hasani: Anëtarësimi i Shqipërisë dhe rajonit në BE, thelbësor për stabilitetin e Europës
2024-06-19 11:36:41

Ministri Hasani (Foto Atsh)

Ministri Hasani (Foto Atsh)

Integrimi i Shqipërisë dhe i rajonit ka mbetur në stanjacion prej vitesh, ndaj qasja, ritmi dhe angazhimi i BE-së për këtë proces duhet të ndryshojë, deklaroi ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Paqen dhe Rritjen e Qëndrueshme, që u mbajt në Athinë, shkruan “ATSH”.

“Për shkak të një mjedisi sigurie të prekur, zgjerimi është sërish në qendër të skenës, si një imperativ strategjik kritik që ka implikime të rëndësishme për stabilitetin, prosperitetin dhe unitetin e Evropës në të ardhmen”,- tha kryediplomati shqiptar.

Sipas tij, integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE do të hapë mundësi të reja për rritje ekonomike.

“Anëtarësimi në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor është thelbësor për stabilitetin, sigurinë dhe paqen e rajonit dhe Europës në tërësi. Hapat gradualë të integrimit, duke përfshirë edhe Planin e Rritjes, do të hapin dyert për tregun e vetëm, duke katalizuar zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimet infrastrukturore, duke reduktuar kështu pabarazitë ekonomike brenda Europës”.

Ministri Hasani u shpreh se procesi integrues duhet të jetë efikas dhe i besueshëm dhe se çdo gjë më pak do të thotë kthim pas në kohë dhe përpjekje.

“Zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor duhet të shihet jo thjesht si një zgjerim të kufijve të Unionit, por si një hap thelbësor drejt një Europe më të qëndrueshme, më të begatë dhe kohezive”,- deklaroi ministri Hasani, gjatë fjalës së tij në panelin “Perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe rëndësia e tij për të ardhmen e Europës”. (Irma)