Shefi i NATO-s: Mbi 20 aleatë drejt përmbushjes së objektivit prej 2% të shpenzimeve për mbrojtjen këtë vit
2024-06-19 15:15:54

Më shumë se 20 aleatë të NATO-s pritet të shpenzojnë 2% të prodhimit të tyre të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtjen këtë vit, deklaroi sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.

Foto:VCG

Foto:VCG

Të dhënat nga NATO tregojnë se 23 aleatë pritet të përmbushin objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes të aleancës, nga një vlerësim i mëparshëm prej 18 anëtarësh në shkurt, shkruan “ATSH”.

Sipas shifrave, aleatët europianë dhe Kanadaja do të arrinin një rritje prej 17.9% në shpenzimet e mbrojtjes.

Gjatë një fjalimi në Uashington, Stoltenberg tha se kjo është një gjë e mirë për SHBA-në dhe për Europën, duke vlerësuar rritjen e shpenzimeve.

“Gjatë dy viteve të fundit më shumë se dy të tretat e blerjeve europiane të mbrojtjes janë kryer me kompanitë amerikane. Kontratat me kompanitë amerikane të mbrojtjes arritën një vlerë mbi 140 miliardë dollarë”,- tha ai.

Që nga viti 2006, anëtarët e NATO-s janë zotuar të shpenzojnë të paktën 2% të PBB-së së tyre për mbrojtje, por vetëm disa prej tyre e kanë arritur këtë objektiv.

Vendet kryesore që pritet të përmbushin objektivin e NATO-s janë Polonia, me shpenzime të mbrojtjes prej 4.12% të PBB-së, dhe Estonia, me 3,43%, që vjen përpara SHBA-së me rreth 3.38%.

Vende të tilla si Spanja, Sllovenia dhe Luksemburgu po shpenzojnë aktualisht nën 1.3% të PBB-së së tyre për mbrojtje.

Belgjika (1.3%), Kanadaja (1.37%), Italia (1.49%) dhe Portugalia (1.55%) gjithashtu pritet të jenë shumë larg objektivit të NATO-s.

Gjermania parashikohet të përmbushë objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes me rreth 2.12%, pasi vendi u angazhua për këtë qëllim për herë të parë këtë vit. (Irma)