Kina bën përparim të dukshëm në ruajtjen e burimeve ujore, përdorimin intensiv
2024-06-19 16:56:10

CFP

CFP

Ministria e Burimeve Ujore bëri të ditur se Kina ka dëshmuar përparim të jashtëzakonshëm në menaxhimin e ujit gjatë dekadës së fundit, duke regjistruar arritje të mëdha në ruajtjen dhe përdorimin intensiv të burimeve ujore, si dhe përmirësime në parandalimin e përmbytjeve dhe thatësirës, shkruan “Xinhua”.

Përdorimi total i ujit në Kinë është mbajtur nën 610 miliardë metra kub gjatë dekadës së fundit, ndërsa konsumi i ujit për 10.000 juanë (1405 dollarë amerikanë) të PBB-së dhe konsumi i ujit për 10.000 juanë të vlerës së shtuar industriale ra përkatësisht me 41.7 për qind dhe 55.1 për qind, deklaroi Chen Min, zëvendësministri i Burimeve Ujore, në një konferencë për shtyp.

Gjatë dekadës së fundit, kapaciteti i furnizimit me ujë të projekteve të reja të ruajtjes së ujit ka arritur në rreth 200 miliardë metra kub, tre herë më shumë se ai i dekadës së mëparshme, sipas Chen.

CFP

CFP

Sipërfaqja e tokës bujqësore e ujitur e saposhtuar ka arritur rreth 87 milionë mu (5.8 milionë hektarë) gjatë dekadës së fundit dhe sipërfaqja efektive e tokës bujqësore të ujitur në të gjithë vendin ka arritur në 1.055 miliardë mu, tha Chen. Ai gjithashtu vuri në dukje se aftësitë e Kinës për kontrollin e përmbytjeve dhe rezistencës ndaj thatësirës janë përmirësuar në tërësi falë masave të forcuara të paralajmërimit të hershëm dhe përmirësimit të projekteve të kontrollit të përmbytjeve.

Kina ka bërë hapa përpara në garantimin e sigurisë së ujit për banorët e zonave rurale gjatë dekadës së fundit, duke rritur aksesin e ujit të rubinetit në zonat rurale në 90 për qind.

Chen tha se Kina do të vazhdojë të angazhohet në menaxhimin e gjithanshëm të ujit me cilësi të lartë për të garantuar sigurinë e ujit për ndërtimin e një vendi të fortë dhe kauzën e madhe të përtëritjes kombëtare në të gjitha frontet përmes një rruge kineze drejt modernizimit. (Irma)