Programi i tregtisë së Kinës ka pasur një fillim të mbarë
2024-06-19 17:14:11

CFP

Programi kombëtar i Kinës për promovimin e rinovimeve të pajisjeve në shkallë të gjerë dhe zëvendësimin e mallrave të vjetra të konsumit me të reja ka pasur një fillim të mirë, bëri të ditur Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës (NDRC), citon “Xinhua”.

Në pesë muajt e parë të këtij viti, investimet në blerjen e pajisjeve u rritën me 17.5 për qind në baza vjetore, duke kontribuar me mbi 50 për qind në rritjen totale të investimeve në vend, deklaroi zëdhënësi i NDRC-së, Li Chao, në një konferencë për shtyp të martën.

Gjatë kësaj periudhe, shitjet e gjeneruara nga zëvendësimet e pajisjeve shtëpiake u rritën me mbi 80 për qind nga një vit më parë në platformat kryesore të tregtisë elektronike, tha Li, duke vënë në dukje se zëvendësimi i pajisjeve të vjetra është bërë një faktor i rëndësishëm që promovon rritjen e konsumit të pajisjeve shtëpiake.

Ndërkohë, një numër i madh i objekteve inteligjente të riciklimit janë ofruar për komunitetet në mbarë vendin, gjë që ka përmirësuar sistemin e riciklimit të Kinës, theksoi zëdhënësi.

Vendi ka përfunduar tashmë ndërtimin e sistemit të politikave për promovimin e rinovimeve të pajisjeve në shkallë të gjerë dhe zëvendësimin e mallrave të vjetra të konsumit me të reja, ndërsa qeveritë vendore në 31 rajone të nivelit provincial kanë publikuar të gjitha planet e veprimit për programin, sipas NDRC-së. (Irma)