UNRWA-ja: S’ka pauzë për ndihma humanitare në Gaza, luftimet vazhdojnë
2024-06-19 17:46:04

CFP

CFP

Komisioneri i përgjithshëm i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt, UNRWA, Philippe Lazzarini deklaroi se organizata kryesore që dërgon ndihma humanitare në Gaza ka konstatuar se nuk ka pasur pauzë në luftime.

“Ka pasur informacione se një vendim i tillë është marrë, por mund t'ju them se luftimet vazhdojnë në Rafah dhe në jug të Gazës. Operacionalisht asgjë nuk ka ndryshuar ende”,- tha Lazzarini në një konferencë shtypi, citon “RTSH”.

Ushtria izraelite njoftoi të hënën se forcat e saj po vazhdonin operacionet e përqendruara, të bazuara tek Inteligjenca në zonën Rafah, të cilat përfshinin luftime të ngushta me militantët dhe kapjen dhe shkatërrimin e militantëve të Hamasit.

Ushtria kishte bërë të ditur gjithashtu se në fundjavë pushimet ditore nisnin nga ora 05:00 deri në orën 16:00 në zonën nga Kalimi Kerem Shalom, në jug të Izraelit, në rrugën Salah al-Din dhe më pas në veri.

Më vonë ajo sqaroi se operacionet normale do të vazhdonin në Rafah me fokus kryesor të operacioneve të saj në Gazën jugore.

Ndërkohë banorët thanë të hënën se forcat izraelite po përparonin më thellë në zonat qendrore dhe perëndimore të Rafahut nën zjarr të fortë nga toka dhe ajri.

Grupet e armatosura të udhëhequra nga Hamasi po luftonin nga një distancë e afërt brenda kampit Al-Shaboura në zemër të Rafah, sipas Hamasit dhe banorëve, të cilët raportuan se kishin dëgjuar tinguj shpërthimesh dhe të shtëna armësh që nuk ndaleshin. (Irma)