Norvegjia rrit ndihmën për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë
2024-06-18 15:14:19

Unrwa (Foto Thejordatimes).jpg

Unrwa (Foto Thejordatimes)

Qeveria norvegjeze njoftoi se ka vendosur të rrisë mbështetjen financiare për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) me 100 milionë korona norvegjeze (9.3 milionë dollarë amerikanë), shkruan “Xinhua”.

Financimi i ri u zbulua gjatë vizitës së komisionerit të përgjithshëm të UNRWA-së, Philippe Lazzarini, në Norvegji.

Rritja e ndihmës vjen si shtesë e 275 milionë koronave që Norvegjia kishte kontribuar në fillim të këtij viti.

“Aftësia e UNRWA-së dhe organizatave të tjera të OKB-së për të ofruar ndihma humanitare shumë të nevojshme, duke përfshirë kujdesin shëndetësor dhe arsimin, për njerëzit që jetojnë në mes të luftës dhe konfliktit, është thelbësore për një rend botëror të bazuar në të drejtën ndërkombëtare”,- deklaroi ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide.

UNRWA-ja përfaqëson angazhimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj refugjatëve palestinezë derisa të gjendet një zgjidhje politike, nënvizoi Eide, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për organizatën nga Norvegjia dhe vendet e tjera.

Që nga fillimi i konfliktit në Gaza në tetor 2023, janë vrarë afro 200 anëtarë të stafit të UNRWA-së. Personeli i organizatës, shkollat dhe spitalet përballen me sulme të përditshme.

E themeluar në vitin 1949, UNRWA-ja ka ofruar arsim, kujdes shëndetësor, strehim dhe ndihmë humanitare për gati 6 milionë refugjatë palestinezë në Palestinë, Jordani, Siri dhe Liban. (Irma)