Kina prezanton rregulloren për të luftuar bullizmin kibernetik
2024-06-18 15:33:43

foto nga CFP

Kina prezantoi një rregullore të re, që pritet të hyjë në fuqi më 1 gusht, për të luftuar bullizmin kibernetik, që imponon kërkesa më të rrepta për platformat e internetit, duke synuar të përmirësojë sistemet e paralajmërimit të hershëm që kanë të bëjnë me sulmet në internet, thanë ekspertët, citon “China Daily”.

Rregullorja, e publikuar së bashku nga Administrata e Hapësirës Kibernetike të Kinës, Ministria e Sigurisë Publike, Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe Administrata Kombëtare e Radios dhe Televizionit, e përcakton bullizmin në internet si përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme ndaj individëve.

Rregullorja me 34 nene do të kërkojë nga ofruesit e shërbimeve të internetit të forcojnë paralajmërimet e hershme kundër bullizmit të mundshëm kibernetik.

Platformat duhet të zbatojnë sisteme që monitorojnë faktorë të tillë si palët e përfshira, përmbajtja e incidentit, numri i pjesëmarrësve dhe shpeshtësia e publikimit të informacionit për të zbuluar dhe paralajmëruar menjëherë rreziqet e bullizmit kibernetik. Rregullorja gjithashtu nxit platformat të klasifikojnë përmbajtjen e bullizmit kibernetik dhe të përdorin teknologji si inteligjenca artificiale dhe të dhënat e mëdha për të identifikuar përmbajtjet.

Vitin e kaluar, Gjykata e Lartë Popullore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë Popullore dhe Ministrinë e Sigurisë Publike, nxorën një udhëzim kundër bullizmit kibernetik pas disa çështjeve të profilit të lartë. Ai i lejon gjyqtarët të kërkojnë ndihmën e policisë në mbledhjen e provave për rastet e fyerjes ose shpifjes në internet.

Sipas Gjykatës së Lartë Popullore, numri i rasteve të shpifjeve në internet të trajtuara vitin e kaluar u rrit me 10.3 për qind në baza vjetore, me dënime në rritje me 102.4 për qind. (Fatosi)