Rusia: Samiti i paqes për Ukrainën nuk arriti asnjë rezultat
2024-06-18 15:17:08

Samiti ne Zvicer (Foto Atsh)

Samiti ne Zvicer (Foto Atsh)

Samiti i paqes për Ukrainën, i mbajtur në Zvicër, nuk arriti asnjë rezultat, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, shkruan “ATSH”.

“Nëse dikush flet për rezultatet e këtij takimi, atëherë ato priren natyrshëm drejt zeros. Rusia nuk u shqetësua nga vendimi i disa shteteve miqësore për të votuar deklaratën përfundimtare. Sigurisht do të marrim parasysh qëndrimin që kanë mbajtur këto vende. Është e rëndësishme për ne. Ne do të vazhdojmë t’u shpjegojmë argumentet tona”,- tha Peskov.

93 shtete dhe organizata ndërkombëtare morën pjesë në bisedimet në Zvicër.

Një shumicë e madhe mbështeti deklaratën përfundimtare që theksonte sovranitetin e Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Sipas deklaratës përfundimtare, centrali bërthamor ukrainas në Zaporizhia, i cili është i pushtuar nga Rusia, duhet të jetë nën kontrollin e Ukrainës.

Rusia nuk u ftua në samit.

Peskov tha se propozimet e paqes të presidentit rus mbeten në tryezën e diskutimeve, bëri të ditur agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “TASS”.

Presidenti rus Vladimir Putin prezantoi planin e tij të paqes një ditë përpara samitit, duke kërkuar që Ukraina të dorëzojë territorin e mbajtur nga forcat ruse dhe të tërheqë kërkesën e saj për t’u bashkuar me NATO-n. (Irma)