Kina thekson qëndrimin e vet në dialogun me BE-në për të drejtat e njeriut
2024-06-18 16:28:26

foto nga

Dialogu Kinë-BE mbi të drejtat e njeriut në Chongqing / foto nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Përfaqësuesit kinezë paraqitën në mënyrë gjithëpërfshirëse pikëpamjet e Kinës mbi të drejtat e njeriut dhe përsëritën qëndrimin e saj gjatë bisedimeve me diplomatët e BE-së, të cilët erdhën në Kinë për të marrë pjesë në sesionin e 39-të të Dialogut të përbashkët për të Drejtat e Njeriut më 16 qershor në Chongqing të Kinës Jugperëndimore. Ata vizituan gjithashtu Rajonin Autonom të Xizang-ut nga 13 deri më 15 qershor.

Rendi i ditës dhe programi mundësuan diskutime të thella mbi një gamë të gjerë zhvillimesh të të drejtave të njeriut, si në Kinë, ashtu edhe në BE.

Ndihmësministri i Jashtëm kinez Miao Deyu paraqiti në mënyrë gjithëpërfshirëse konceptin dhe arritjet e Kinës lidhur me të drejtat e njeriut gjatë bisedimeve me Paola Pampalonin, zëvendësdrejtoren e përgjithshme për Azinë dhe Paqësorin të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në Pekin më 17 qershor.

Takimi midis Miao Deyu, ndihmësministrit tëJashtëm kinez dhe Paola Pampalonin, zëvendësdrejtores së përgjithshme për Azinë dhe Paqësorin të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në Pekin / foto nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Miao theksoi që Partia Komuniste e Kinës i përmbahet qëllimit themelor për t'i shërbyer popullit me gjithë zemër dhe që Kina beson që zhvillimi dhe mbrojtja e interesave themelore të popullit kinez është e drejta më e madhe e njeriut. Zyrtari kinez shtoi se zhvillimi i kauzës së të drejtave të njeriut të Kinës u përshtatet kushteve të saj kombëtare dhe ka shënuar arritje historike.

"Kina po nxit në mënyrë të gjithanshme ripërtëritjen e madhe të kombit kinez me modernizimin e stilit kinez, gjë që do të përmirësojë më tej nivelin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të Kinës," tha Miao.

Ai vuri në dukje se Kina është kundër politizimit të çështjes së të drejtave të njeriut e zbatimit të standardeve të dyfishta. Kina kundërshton imponimin e një modeli të vetëm të të drejtave të njeriut ndaj të tjerëve, shfrytëzimin e të drejtave të njeriut për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës dhe angazhiminnë konfrontim në platformat shumëpalëshe. Miao shprehu shpresën që Kina dhe Evropa do të forcojnë komunikimin për një njohje më të mirë të njëra-tjetrës.

Një mësuese u mëson nxënësve gjuhën tibetiane në një shkollë fillore në Lhasa, rajoni autonom Xizang i Kinës jugperëndimore, 6 mars 2024. /CFP

Si pjesë e dialogut, diplomatët e BE-së vizituan shkolla dhe objekte kulturore e fetare në Xizang. Dialogu u pasua nga një shkëmbim pikëpamjesh më 17 qershor në Pekin me Akademinë Kineze të Shkencave Shoqërore dhe Institutin e Teknologjisë të Pekinit.

Ekspertët thonë se këto komunikime zyrtare dhe udhëtime në terren u lejojnë vendeve evropiane të kuptojnë praktikën e të drejtave të njeriut të Kinës në mënyrë më objektive e më të vërtetë dhe do të ndihmojnë në shmangien e disa keqkuptimeve.

Dialogu i fundit për të Drejtat e Njeriut Kinë-BE u mbajt në Bruksel në shkurt 2023, duke shënuar rinisjen e bisedimeve pas një pezullimi që nga viti 2019. Zëdhënësi i punëve të jashtme i BE-së tha se, megjithëse BE e Kina kanë pikëpamje të ndryshme mbi të drejtat e njeriut, kjo është pikërisht arsyeja pse dialogu është i rëndësishëm. (Wang Lei/ Artan)