Gjermania feston për herë të parë Ditën e Veteranëve
2024-06-17 18:19:01

Dita e veteraneve (Foto Rtsh)

Dita e veteraneve (Foto Rtsh)

Ushtarët në pension të Gjermanisë festuan për herë të parë Ditën e Veteranëve që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, afro 80 vjet më parë, shkruan “RTSH”.

Veteranët e ushtrisë mbajtën një sërë aktivitetesh në të gjithë vendin në ditën e parë kushtuar shërbimit të tyre, me ngjarje zyrtare që do të zhvillohen çdo 15 qershor duke filluar nga viti i ardhshëm.

Ish-ushtarët u takuan për të vizituar memorialet e luftës, organizuan stendat e informacionit dhe shkuan në xhiro me motoçikleta.

“Më në fund ndjejmë se jemi pranuar dhe njohur në shoqëri”,- tha Bernhard Drescher, kreu i Shoqatës së Veteranëve Gjermanë, një grup që ka bërë fushatë për Ditën e Veteranëve për më shumë se një dekadë.

“Tani u takon politikanëve, shoqërisë dhe neve në Shoqatën e Veteranëve që ta mbushim këtë ditë me jetë”,- shtoi ai.

Veprimtaria e parë zyrtare do të organizohet nga Ministria e Mbrojtjes vitin e ardhshëm. (Fatosi)