Ministri Gonxhja: Ka nisur restaurimi i Urës së Zogut
2024-06-17 11:16:10

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se kanë nisur punimet përforcuese në Urën e Matit, e njohur si Ura e Zogut, një monument kulture, shkruan “ATSH”.

Ministri Gonxhja (Foto Atsh)

Ministri Gonxhja (Foto Atsh)

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Gonxhja bëri të ditur se faza e parë e punimeve përfshin përforcimin e këtij monumenti kulture dhe më pas do të pasohet me restaurimin thelbësor.

E inauguruar që prej 26 majit 1927, Ura e Matit është një prej veprave më të veçanta inxhinierike në Ballkan. Ajo njihet si një nga veprat e para inxhinierike të këtyre përmasave të ndërtuar në shtetin shqiptar pas shpalljes së pavarësisë më 1912-n.

Ura është e gjatë 480 metra dhe ka gjashtë harqe, nga 54 metra secili.

Edhe pse një prej pjesëve të urës u dëmtua gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo mbeti një dëshmi e forcës krijuese dhe elegancës.

Ky projekt pritet të kthejë për publikun një tjetër objekt trashëgimie, të aksesueshëm e të kalueshëm nga vizitorët për qëllime panoramike e pelegrinazhi. (Fatosi)