Gaza (Foto Atsh)
Ushtria izraelite njoftoi të dielën se do të kryejë pauza taktike ditore në aktivitetet e saj në jug të Rripit të Gazës, për të lejuar më shumë ndihma, shkruan “ATSH”.
“Pauza do të bëhet nga ora 08:00 deri në orën 19:00 çdo ditë deri në një njoftim të dytë, përgjatë rrugës që të çon nga Kerem Shalom në rrugën Salah al-Din dhe më pas më në veri. Ndërprerja synon të rrisë vëllimin e ndihmave humanitare që hyjnë në Gaza”,- bënë të ditur Forcat izraelite të Mbrojtjes në një njoftim në “X”.
Izraeli e konsideron Rafahun bastionin e fundit të grupit militant palestinez Hamas.
Lufta e Gazës u shkaktua nga masakra më e keqe në historinë e Izraelit, me më shumë se 1200 të vdekur, të kryer nga terroristët nga Hamasi dhe grupet e tjera ekstremiste në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar.
Veprimet e ushtrisë izraelite janë kritikuar ndërkombëtarisht, sidomos operacionet në Rafah.
Sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi, më shumë se 37.000 njerëz janë vrarë dhe mbi 85.000 janë plagosur në rrjedhën e ofensivës izraelite në Rripin e Gazës.
Shifrat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. (Fatosi)