Thellimi i reformës në nxitje të forcave të reja prodhuese cilësore
2024-06-17 20:15:48

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ky është një vend pushimi në qytetin Chengdu të Kinës Jugperëndimore. Në të kaluarën, për shkak të vendndodhjes malore dhe të kushteve të papërshtatshme të transportit, kur turistët donin të blinin mallra, duhej një orë për të shkuar me makinë në qytezën më të afërt. Tani dërgimi i mallrave me dron u ka sjellë turistëve lehtësi.

Një turist u shpreh: "Papritur doja të haja hotpot dhe porosita një shërbim dërgimi me dron. Nuk e prisja që në rreth dhjetë minuta, porosia do të arrinte."

Për shkak të zhvillimit të shpejtë të së ashtuquajturës "ekonomi në lartësi të ulët", sot në shumë krahina kineze, dërgimi i mallrave me dron, transporti në lartësi të ulët etj. po hyjnë gradualisht në jetën e njerëzve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit, në vitin 2023, vlera e ekonomisë në lartësi të ulët e Kinës arriti në 505 miliardë e 950 milionë juanë, duke u rritur 33.8 % në krahasim me vitin 2022.

Kina përpiqet të zhvillojë sektorët e rinj strategjikë dhe sektorët e së ardhmes, të thellojë gërshetimin e teknologjisë digjitale me ekonominë reale dhe të zotërojë teknologjitë kyçe për të shpejtuar formimin e forcave të reja prodhuese cilësore.

Ish-drejtori i Drejtorisë së Çështjeve Evropiane e Ndërkombëtare të landit të Hesenit të Gjermanisë, Dr. Michael Borchmann, u shpreh:

“Zhvillimi i shpejtë tekniko-shkencor e industrial kërkon planin e ri të zgjidhjes me risi. Për këtë qëllim, Kina duhet të vazhdojë të ecë në rrugën e modernizimit ekonomik e kombëtar, si inovacioni dhe ekonomia shkencore.”

Presidenti i nderit i Shoqatës "ChinaRo" Vicentiu Gheorghe vuri në dukje:

“Kina po zhvillon fuqimisht energjinë e përtëritshme, informatikën kuantike, robotët industrialë etj., për të rigjallëruar industrinë prodhuese dhe për të modernizuar sektorët tradicionalë.”

Nga ana e saj, drejtoresha globale për çështjen e sipërmarrjeve e Grupit "Suzano" të Brazilit, Mariana Lisboa, u shpreh:

“Kina po ndërmerr veprime konkrete për të përmbushur kërkesat e kohës, për të stabilizuar ekonominë botërore dhe për të promovuar zhvillimin e vazhdueshëm global.”

Gjatë katër dekadave të fundit, me reformën dhe eksplorimin e vazhdueshëm, Kina ka arritur zhvillimin e shpejtë ekonomik. Për të zhvilluar forcat e reja prodhuese cilësore, duhet të thellohet më tej reforma për krijimin e marrëdhënieve të reja prodhuese në përputhje me to.

Presidenti i Fondacionit "Kuhn" të ShBA-së Robert Lawrence Kuhn tha:

“Zhvillimi i forcave të reja prodhuese cilësore kërkon përparime të vazhdueshme në shkencë e teknologji, duke përfshirë tërheqjen e teknologjive të fundit, nxitjen e sektorëve në zhvillim, përmirësimin e zinxhirëve industrialë dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër. Është e rëndësishme gjithashtu të thellohet reforma, veçanërisht modernizimi i menaxhimit tekniko-shkencor dhe heqja e pengesave.”

Ma Lin, studiues në Fakultetin e Inxhinierisë Elektronike të Universitetin "Jiaotong" të Shangait, po studion procesin e prodhimit masiv të një mikroçipi fotonik. Falë një sërë provash të reformës për transformimin e arritjeve tekniko-shkencore në Shangai, studiuesit gëzojnë të drejtën e pronësisë së plotë ose të pjesshme të arritjeve tekniko-shkencore, me kushtin paraprak të qartësimit të përpjesëtimeve të përfitimeve nga ky transformim. Me këtë masë, Ma Lin përfitoi fonde dhe rezultati i studimeve të tij mund të hyjë në treg.

 Zv.drejtori i Departamentit të Shërbimit për Inovacionin në Komisionin e Shkencës e të Teknologjisë të Shangait Liang Bing u shpreh:

“Shpresoj se shkencëtarët tanë do të kenë autonomi më të madhe për të filluar biznesin e tyre, me qëllim që kapitali shoqëror dhe sektorët përkatës të vënë në jetë më shumë arritje të shkencëtarëve. Kjo është gjithashtu një mbështetje e rëndësishme për forcat e reja prodhuese cilësore.”

Me thellimin e reformës së sistemit ekonomik dhe tekniko-shkencor, formimin e mjedisit të përparuar ndërkombëtar të biznesit, reformën e sistemit të talenteve etj., Kina ka promovuar zhvillimin e forcave të reja prodhuese cilësore. Kohët e fundit, qeveria kineze ka bërë një sërë hetimesh për të stimuluar mençurinë e qarqeve të ndryshme shoqërore për reformën e mëtejshme.

Presidenti i nderit i Shoqatës "ChinaRo" Vicentiu Gheorghe tha:

“Kina synon të zgjidhë problemet dhe të përmirësojë strukturën e burimeve nëpërmjet reformës gjithëpërfshirëse për të siguruar qarkullimin pa pengesa të faktorëve të përparuar të prodhimit, me qëllim që marrëdhëniet në prodhim të përputhen vazhdimisht me kërkesat e zhvillimit të forcave prodhuese.”

CEO-ja i Grupit "L'Oreal" Nicolas Hieronimus theksoi:

“Kina është një treg super i madh me një potencial fantastik, por më e rëndësishmja është që ajo vazhdon të transformohet, të reformohet e të hapet në mbështetje të zhvillimit ekonomik cilësor .”

Presidentja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Kristalina Geogieva u shpreh:

“Kina ka pasur suksese të jashtëzakonshme gjatë katër dekadave të fundit. Reforma dhe hapja i kanë sjellë popullit kinez përfitime të mëdha. Edhe kur shikojmë përpara, vërejmë që është pikërisht thellimi i reformës që do të çlirojë potencialin e rritjes së gjelbër dhe digjitale. Unë kam parë në Kinë sot një ndryshim nga rritja me ritme të larta në rritjen me cilësi të lartë. Ajo që dëgjoj nga udhëheqja e Kinës është se vendosmëria për thellimin e vrullit të reformës do t'i japë përsëri begati popullit kinez .” (Fani)