Dy pemë banyan-i
2024-06-16 16:32:25

Më 12 mars të vitit 2000, 87-vjeçari Xi Zhongxun dhe anëtarë të tjerë të familjes mbollën një pemë banyan-i në shtëpinë e tyre në qytetin Shenzhen.

Xi Zhongxun-i ishte një nga pionierët dhe themeluesit e reformës dhe hapjes me botën e jashtme të provincës Guangdong. Mbjellja e kësaj peme shfaqi ndjenjat e tij për Shenzhen-in.

Në dhjetor të vitit 1978, plenumi i 3-të i Komitetit Qendror të 11-të të PKK-së mori vendim për t’u fokusuar në zhvillimin ekonomik dhe zbatimin e politikës së reformës e të hapjes me botën e jashtme duke hapur periudhën e re të reformës e hapjes dhe të ndërtimit të modernizimit socialist.

Në një mbledhje qendrore të zhvilluar pas disa muajve, sekretari i parë i Komitetit të Partisë të Provincës Guangdong Xi Zhongxun i propozoi Komitetit Qendror t’i japë provincës Guangdong më shumë autonomi për reformën dhe hapjen. “Guangdong-u gjendet afër Hong-Kongut e Makaos dhe ka kushte të favorshme për zhvillimin e shkëmbimeve ekonomike e teknologjike të jashtme,” propozoi Xi Zhongxun-i.

Propozimet e reformës të paraqitura prej tij gjetën përkrahjen e qeverisë qendrore kineze. Në mars të vitit 1979 u krijua qyteti Shenzhen. Në gusht të një viti më pas u themeluan 4 rajone të posaçme ekonomike: Shenzhen-i, Zhuhai, Shantou e Xiamen-i.

Gjatë dy vjetëve në Guangdong, Xi Zhongxun-i bëri shumë punë të rëndësishme, duke përfshirë rregullimin e strukturës ekonomike rurale, zhvillimin e kulturave bujqësore, blegtorisë e peshkimit, zhvillimin e përpunimit të produkteve bujqësore, zhvillimin e tregtisë kufitare, tërheqjen e investimeve nga Hong-Kongu etj. Këto masa hodhën bazën për përparimin e provincës Guangdong në reformën dhe hapjen me botën e jashtme.

Praktika e Xi Zhongxun-it në Guangdong ka ushtruar ndikim të thellë mbi Xi Jinping-un.

Në vitin 1982, Xi Jinping-u shkoi për të punuar në kontenë Zhengding të provincës Hebei. Përballë mungesës së talenteve tekniko-shkencore, Xi Jinping-u paraqiti 9 masa për tërheqjen e talenteve. Këto masa përfshinin reformën e sistemit të shpërndarjes, të sistemit të personelit, të politikës së ushqimit, të regjistrimit familjar etj., dhe ishin pioniere atë kohë.

Gjatë punës në provincën Fujian, Xi Jinping-u paraqiti “përvojën e Jinjiang-ut” për zhvillimin ekonomik të konteve, thjeshtimin e procedurave dhe delegimin e kompetencave, reformën e sistemit të të drejtave pyjore etj.

Gjatë punës në provincës Zhejiang, Xi Jinping-u shpalli “strategjinë 8+8”, kurse në Shangai ai punoi për nxitjen e integrimit të Deltës së Lumit Jance.

Xi Jinping-u ka theksuar që, për përballimin e një sërë problemesh e sfidash të tanishme, duhet të thellohet reforma, dhe reforma kërkon këmbëngulje e guxim.

Një studiues amerikan është shprehur se lufta kundër korrupsionit, qeverisja e vendit sipas ligjit, lufta për shkëputjen nga varfëria, ristrukturimi i ushtrisë, rregullimi i institucioneve partiake e qeveritare etj. janë masat e reformës. Ndërsa një ekspert kinez kujtoi: “Pa vendimin e Xi Jinping-ut, nuk do të merreshin shumë masa të reformës.”

Në vitin 2012, pas Kongresit të 18-të Kombëtar të PKK-së, Xi Jinping-u shkoi në provincën Guangdong për inspektimin e punës. Në parkun e malit Lianhua të Shenzhen-it, ai mbolli një pemë banyan-i.

Sot dy pemë banyan të mbjella nga Xi Zhongxun-i dhe Xi Jinping-u janë rritur e janë lartuar. Provinca Guangdong, pikënisja e reformës dhe hapjes me botën e jashtme të Kinës, ka dëshmuar ndryshimin e pamjes së vendit. Sot Kina po përparon drejt modernizimit socialist dhe përtëritjes kombëtare. (Fani)