Orban e konsideron të papranueshëm vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë për gjobën ndaj Hungarisë
2024-06-16 12:03:56

Viktor Orban (Foto Panorama)

Kryeministri Viktor Orban e cilësoi të pabesueshëm dhe të papranueshëm vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë për të ndëshkuar Hungarinë për moszbatimin e politikës së përbashkët të bllokut europian ndaj azilkërkuesve, shkruan “Panorama”.

“Vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë për të gjobitur Hungarinë me 200 milionë euro plus 1 milion euro në ditë për mbrojtjen e kufijve të BE-së është i egër dhe i papranueshëm. Emigrantët e paligjshëm duket se janë më të rëndësishëm për burokratët e Brukselit zyrtar sesa qytetarët europianë”, shkroi kryeministri Orban në platformën “X”.

Gjykata Europiane e Drejtësisë e mori vendimin ndaj shtetit hungarez për shkak se nuk zbaton politikën e përbashkët të bllokut europian ndaj azilkërkuesve.

“Hungaria është urdhëruar të paguajë një shumë të madhe prej 200 milionë euro dhe një gjobë prej 1 milion euro në ditë vonesë për moszbatim të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë. Ky dështim, që konsiston në shmangien e qëllimshme të aplikimit të politikës së përbashkët të BE-së në tërësi, paraqet një shkelje të paprecedentë dhe jashtëzakonisht të rëndë të ligjit të BE-së”,- thuhet në deklaratën e gjykatës.

Zëdhënësi i Komisionit Europian, Balazs Ujvari, tha se KE-ja do të kërkojë para nga Hungaria në intervale të caktuara, në të kundërtën Komisioni do ta zbresë shumën e specifikuar nga alokimet buxhetore të BE-së për vendin. (Irma)