Autoambulanca lëvizëse i shtohet Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut
2024-06-16 13:13:01

Qendra e gjakut (Foto Atsh)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, deklaroi se autoambulanca lëvizëse i shtohet Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, duke përmirësuar ndjeshëm kapacitetet, falë mbështetjes së Agjencisë italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, shkruan “ATSH”.

Ministrja theksoi se kjo njësi moderne do të shërbejë për të lehtësuar aksesin e qytetarëve në dhurimin e gjakut, duke vizituar qytetet dhe fshatrat sipas një kalendari të përcaktuar.

“Autoemoteka lëvizëse është pajisur me teknologji të avancuar dhe ofron të gjitha shërbimet e nevojshme për dhurimin e gjakut në mënyrë të sigurt dhe efikase”,- deklaroi ministrja Koçiu, duke theksuar se është rritur ndërgjegjësimi për të dhuruar gjak.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Irena Qendro, deklaroi se në këtë autoambulancë sigurohen të gjitha kushtet e duhura për një dhurim gjaku të sigurt dhe cilësor.

“Ne arrijmë të japim të njëjtin standard sigurie dhe cilësie të lidhur me dhurimin si në qendrën kombëtare ashtu edhe në sesionet lëvizëse”,- tha ajo. (Irma)