SHBA-ja vendos sanksione ndaj grupit radikal izraelit për bllokimin e ndihmave në Gaza
2024-06-16 12:53:16

Zyrtari amerikan (Foto Atsh)

Qeveria amerikane vendosi sanksione ndaj grupit radikal izraelit “Tzav 9” për shënjestrimin e ndihmave të dërguara për civilët palestinezë në Rripin e Gazës.

“Për muaj të tërë, individë nga “Tzav 9” kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur të pengojnë dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza, duke përfshirë bllokimin e rrugëve, ndonjëherë me dhunë, përgjatë rrugës së tyre nga Jordania në Gaza, përfshirë Bregun Perëndimor”,- bëhet e ditur në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), citon “ATSH”.

Në deklaratë theksohet se ky grup gjithashtu ka dëmtuar kamionë me ndihma dhe ka hedhur shpërdoruar ndihmat humanitare.

Zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller përmendi një incident më 13 maj, kur anëtarët e “Tzav 9” plaçkitën dhe u vunë zjarrin dy kamionëve pranë Hebronit në Bregun Perëndimor që transportonin ndihma për në Gaza.

“Sigurimi i ndihmës humanitare është thelbësor për të reduktuar rrezikun e urisë në Rripin e Gazës. Qeveria e Izraelit ka përgjegjësinë të garantojë sigurinë e autokolonave humanitare që kalojnë tranzit nga Izraeli dhe Bregu Perëndimor drejt Gazës”, tha Miller, duke theksuar se nuk do të tolerohen aktet e sabotimit dhe dhunës ndaj ndihmave thelbësore humanitare. (Irma)