Papa (Foto Panorama)
Papa Françesku, duke iu drejtuar samitit të G7-s, paralajmëroi se inteligjenca artificiale nuk duhet të lejohet të ketë epërsi mbi njerëzimin.
Papa tha se inteligjenca artificiale përfaqëson një transformim epokal për njerëzimin, por theksoi nevojën për mbikëqyrje të ngushtë të teknologjisë gjithnjë në zhvillim, për të ruajtur jetën dhe dinjitetin njerëzor, shkruan “Panorama”.
“Asnjë makineri nuk duhet të zgjedhë kurrë t’i marrë jetën qenies njerëzore”,- tha ai, ndërsa theksoi se njerëzit nuk duhet të lënë që algoritmet e superfuqishme të vendosin për fatin e tyre.
“Ne do ta dënonim njerëzimin për një të ardhme pa shpresë nëse do t’ua hiqnim njerëzve aftësinë për të marrë vendime për jetën e tyre, duke i dënuar ata të varen nga zgjedhjet e makinerive”,- paralajmëroi Ati i Shenjtë.
Papa pranoi se inteligjenca artificiale mund të zgjerojë qasjen në njohuri në mbarë botën.
“I takon të gjithëve që ta përdorin mirë inteligjencën artificiale, por përgjegjësia i takon politikës për të krijuar kushtet që një përdorim i tillë i mirë të jetë i mundur dhe frytdhënës”, shtoi ai.
Në deklaratën përmbyllëse të liderëve të G7-s thuhet se do të hartohet një plan për të parashikuar aftësitë dhe nevojat e ardhshme arsimore për të përfituar nga revolucioni i inteligjencës artificiale. (Irma)