Ministrja gjermane: BE të miratojë paketën e sanksioneve të reja kundër Rusisë
2024-06-16 12:23:52

Ministrja gjermane (Foto Atsh)

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, bëri thirrje për miratimin e shpejtë të paketës së re të sanksioneve të propozuara nga Bashkimi Europian kundër Rusisë.

“Për qeverinë gjermane është absolutisht e qartë se ne si Bashkimi Europian duhet të vazhdojmë me presionin e sanksioneve kundër Rusisë”,- deklaroi kryediplomatja gjermane gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të shteteve baltike, në Finlandë, shkruan “ATSH”.

Ajo tha se Ministria e Jashtme gjermane po punonte për të arritur një konsensus për një raund tjetër të sanksioneve.

Për herë të parë, BE-ja ka planifikuar të vendosë sanksione të rrepta kundër industrisë së gazit natyror të lëngshëm (LNG) të Rusisë me vlerë miliarda dollarë.

Gjermania po bën thirrje për një rregullore të planifikuar, në mënyrë që filialet që janë përgjegjëse në rast të shkeljeve, t’u kufizohen mallra të caktuara ose anulohen krejtësisht, mes frikës se kompanitë gjermane mund të bëhen përgjegjëse për shkeljet e sanksioneve.  (Irma)