Guvernatori Sejko: Aplikimi në SEPA sjell përfitime për ekonominë dhe integrimin në BE
2024-06-16 11:32:38

Guvernatori Sejko (Foto Atsh)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se anëtarësimi në tregun unik të pagesave në euro (SEPA) ka shumë përfitime, si për ekonominë e vendit ashtu edhe për integimin në BE.

Gjatë një aktiviteti me Bankën Botërore në Tiranë, guvernatori Sejko theksoi se thjeshtësia, komoditeti dhe efikasiteti janë tre nga përfitimet kryesore të këtij anëtarësimi për konsumatorët dhe bizneset, shkruan “Panorama”.

Sipas tij, projeksionet në një periudhë afatmesme janë që ekonomia shqiptare duhet të fitojë disa qindra milionë euro nga aderimi në SEPA.

“Anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA është iniciuar si një nga masat e parashikuara në projektin rajonal, për modernizimin e sistemeve të pagesave në Ballkanin Perëndimor dhe është transformuar tashmë në një nga prioritetet kombëtare të përmbushjes së planit të ri të rritjes së BE. Ky plan ka mbështetjen e KE, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe Banka Botërore. Përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset do të kryejnë pagesa dhe transferta si të ishin vende anëtarë të BE-së dhe anasjelltas. Përfitimet e ekonomisë shqiptare dhe familjeve do të jenë në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave etj. Anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA garanton trajtimin e shtetasve shqiptarë në mënyrë të njëtrajtshme me ata europianë në fushën e pagesave, si dhe garanton përputhshmërinë e tregut shqiptar të pagesave me legjislacionin dhe praktikat e BE-së”,- tha guvernatori Sekjo. (Irma)