Ministrja Denaj: Teknologjia e re ndikon në përmirësimin e prodhimit
2024-06-16 12:33:53

Ministrja Denaj (Foto Atsh)

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se përpjekjet për zhvillimin e bujqësisë janë përqëndruar në përdorimin e teknologjive më të fundit dhe praktikave inovative, duke bërë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e prodhimit të perimeve dhe grurit.

Ndërsa vizitoi Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) në Lushnjë, ministrja Denaj tha se janë 10 studime teknologjike dhe 12 fusha testimi që po vlerësojnë kultivarët e rinj për të siguruar cilësi dhe performancë të lartë, shkruan “ATSH”.

“Në bashkëpunim me projektin gjerman “GIZ”, tregojnë angazhimin për mbrojtjen biologjike nga dëmtuesit dhe sëmundjet në prodhimin e perimeve”, tha Denaj.

Qendrat e Transferimit të Teknologjisë Bujqësore kanë si objektiv gjenerimin, përshtatjen, testimin dhe transferimin e teknologjive bujqësore në funksion të progresit teknik e teknologjik, rritjen e efektivitetit, si dhe konkurrueshmërinë e prodhimit bujqësor e blegtoral, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit. (Irma)