Kina dënon sanksionet e reja të ShBA-së ndaj ndërmarrjeve kineze
2024-06-14 10:28:57

Foto nga VCG

Kina dënoi të enjten sanksionet e reja të SHBA-së ndaj mbi 300 subjekteve e individëve, duke përfshirë dhjetëra ndërmarrje kineze, për të cilat pala amerikane pretendon se kanë ndihmuar në mbështetjen e prodhimit ushtarak të Rusisë për të luftuar ndaj Ukrainës.

Në një konferencë të rregullt shtypi në përgjigje të sanksioneve të shpallura të mërkurën nga Departamenti i Thesarit i ShBA-së, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Lin Jian tha se Kina kundërshton me vendosmëri çdo sanksion të njëanshëm të paligjshëm dhe tejkalimin e juridiksionit. "Në shkëmbimet normale ekonomike e tregtare midis Kinës dhe Rusisë nuk duhet të ketë ndërhyrje dhe ato nuk duhet të bëhen një mjet për të njollosur dhe frenuar Kinën," theksoi ai .

Imponimi pa dallim i sanksioneve të njëanshme nga Shtetet e Bashkuara në shkallë globale ka shkaktuar dëme të pakufishme, ka minuar seriozisht sigurinë  sovrane të vendeve të tjera, ka shkaktuar tragjedi humanitare dhe ka destabilizuar zinxhirin e prodhimit dhe furnizimit, tha Lin.

Pas përshkallëzimit të krizës Rusi-Ukrainë, sanksionet e SHBA-së janë bërë edhe më të rënda dhe ky përdorim pa dallim i sanksioneve nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit, por bëhet një burim i madh rreziku në botë, shtoi ai.

Lin përsëriti se Kina nuk është krijuese e krizës Rusi-Ukrainë dhe nuk do të pranojë kurrë njollosjen dhe hedhjen e fajit asaj. (Çang Çuo)