Në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës u nënshkruan mbi 100 marrëveshje
2024-06-14 11:20:13

Foto nga VCG

Gjatë Konferencës së Rimëkëmbjes së Ukrainës, të zhvilluar në Berlin, u nënshkruan më shumë se 100 marrëveshje, njoftoi ministrja gjermane e Zhvillimit, Svenja Schulze, citon “ATSH”.

“Marrëveshjet, duke përfshirë biznesin dhe qeveritë, përfshijnë kredi për bizneset e vogla, më shumë partneritete në qytet dhe iniciativa trajnimi”,- tha Schulze, duke folur së bashku me zëvendëskryeministren e Ukrainës njëherësh edhe ministre e Ekonomisë, Yulia Svyrydenko.

Konferenca, e cila nuk po shihet si një konferencë donatorësh, por një forum rrjeti, u ndoq nga më shumë se 3000 përfaqësues nga politika, biznesi dhe organizatat ndërkombëtare.

Schulze tha se Ukraina ka nevojë për një ekonomi të fortë për t’i mbijetuar konfliktit me Rusinë dhe për t’u rindërtuar.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shihen si shtylla kryesore e ekonomisë ukrainase, duke siguruar dy të tretat e krijimit të vlerës dhe duke siguruar 80% të vendeve të punës, sipas shifrave të qeverisë gjermane.

Aleanca e re synon të sigurojë kredi të favorshme për këto kompani në shumën prej 4.5 miliardë euro (4.9 miliardë dollarë), duke e çuar totalin në mbi 7 miliardë euro.

Svyrydenko tha se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme po luajnë një rol kyç për rindërtimin e vendit. Sipas saj, kompanitë e mesme janë goditur veçanërisht rëndë nga konflikti, duke shtuar se aleanca e re do të jepte një kontribut vendimtar për qëndrueshmërinë dhe të ardhmen e Ukrainës.

Duke folur në një forum të kryebashkiakëve gjermanë dhe ukrainas, Schulze bëri thirrje për më shumë partneritete në qytet, në mënyrë që çdo bashki ukrainase të ketë të paktën një partner ndërkombëtar.  (Irma)