Kina ul çmimet e shitjes me pakicë të benzinës dhe naftës
2024-06-14 10:14:45

Foto nga VCG

Kina vendosi të ulë çmimet me pakicë të benzinës dhe naftës, bazuar në ndryshimet e fundit në çmimet ndërkombëtare të naftës, njoftoi planifikuesi kryesor ekonomik i vendit, citon “Xinhua”.

Çmimet e benzinës do të ulen me 190 juanë (rreth 26.7 dollarë amerikanë) për ton dhe çmimet e naftës me 180 juanë për ton, bëri të ditur Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës (NDRC).

Sipas mekanizmit aktual të çmimeve, çmimet e produkteve të naftës së rafinuar rregullohen në përputhje me ndryshimet në çmimet ndërkombëtare të naftës bruto.

Tre kompanitë më të mëdha të naftës të Kinës - Korporata Kombëtare e Naftës e Kinës, Korporata Petrokimike e Kinës dhe Korporata Kombëtare e Naftës në Det të Hapur e Kinës - dhe rafineritë e saj të naftës duhet të sigurojnë prodhimin e naftës dhe të lehtësojnë transportin për të mbajtur furnizimet të qëndrueshme, sipas komisionit.

Qendra e monitorimit të çmimeve të Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës bëri të ditur se pret që çmimet e naftës të luhaten me një tendencë rritëse në afat të shkurtër, për shkak të zgjatjes së uljes së prodhimit të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatëve të saj, si dhe paqëndrueshmërive gjeopolitike. (Irma)