Banka e Shqipërisë firmos aplikimin zyrtar për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA
2024-06-14 16:05:56

foto nga

Guvernatori Sejko (Foto Atsh)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, firmosi aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin në zonën gjeografike të skemave SEPA.

“Kjo është një ditë historike jo vetëm për sistemin financiar në vend, por për të gjithë qytetarët shqiptarë”,- deklaroi guvernatori Sejko, shkruan “ATSH”.

Shqipëria bëhet vendi i parë në rajon që dërgon aplikimin formal për t’u pranuar në zonën gjeografike SEPA.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në SEPA, jo vetëm që shënon një hap mjaft të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit europian të vendit, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda tregut europian.

Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në sektorë strategjikë, siç është turizmi, dhe në rritjen flukseve të lidhura me investimet e huaja direkte. Ulja e kostove të transfertave në euro pritet të ndikojë dhe në formalizimin e flukseve të remitancave.

Projeksionet janë që në afat të mesëm, ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga aderimi në SEPA. Nga pikëpamja e stabilitetit financiar, pjesëmarrja në SEPA ofron një mënyrë për të adoptuar sisteme më moderne, më të sigurta dhe më eficiente të pagesave elektronike. Duke prezantuar alternativa të tilla për qytetarët tanë, synojmë të rrisim përdorimin e pagesave elektronike, uljen e përdorimit të cash-it dhe rritjen e përfshirjes financiare.

SEPA është një iniciativë e hershme e Bashkimit Europian për harmonizimin e pagesave elektronike në euro, ndërmjet vendeve anëtare. Skemat e Pagesave SEPA i sigurojnë qytetarëve dhe bizneseve europiane pagesa ndërkufitare në monedhën e përbashkët, me të njëjtën kosto dhe lehtësi si pagesat brenda vendit të tyre. Megjithatë, zona gjeografike SEPA shtrihet edhe jashtë vendeve të BE-së, duke numëruar deri tani 36 vende që kanë harmonizuar standardet për pagesat elektronike në euro. (Irma)