Ambasada kineze i dhuron libra bibliotekës së Sirisë
2024-06-14 17:16:07

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Ambasada kineze në Siri dhuroi një koleksion të madh librash kinezë, të përkthyer në anglisht dhe arabisht, për Bibliotekën Kombëtare Al-Assad, bibliotekën më të madhe publike në Siri.

Ceremonia e dhurimit u zhvillua në bibliotekën në kryeqytetin Damask në prani të ambasadorit kinez në Siri, Shi Hongwei, dhe ministres së Kulturës së Sirisë, Lubanah Mshaweh, duke theksuar shkëmbimin kulturor në rritje midis Kinës dhe Sirisë.

Librat e dhuruar mbulojnë një gamë të gjerë temash, duke përfshirë historinë, letërsinë dhe kulturën bashkëkohore kineze, duke u ofruar lexuesve sirianë një pamje gjithëpërfshirëse të trashëgimisë së pasur kulturore të Kinës, shkruan “Xinhua”.

Shi shprehu besimin se seksioni i ri kushtuar letërsisë kineze do të bëhet një burim i vlefshëm për publikun sirian.

“Shpresojmë që ky seksion për librat kinezë mund të shërbejë si një dritare për popullin sirian për të njohur Kinën. Ne shohim se Biblioteka e Asadit është një nga bibliotekat më të rëndësishme dhe më të mëdha arabe dhe shpresojmë se do të kemi më shumë bashkëpunim për të ofruar më shumë libra të rinj ose për të pasur më shumë bashkëpunim në të ardhmen e afërt”,- tha ai.

Mshaweh, nga ana e saj, theksoi rëndësinë e shkëmbimit kulturor. “Dritarja kulturore është më e bukura përmes së cilës njerëzit hyjnë drejt njëri-tjetrit, duke njohur zakonet dhe traditat. Injoranca shpërndahet, frika zhduket dhe secili mëson për tjetrin dhe se si mund të krijohen miqësi me këtë vend, përveç bashkëpunimit të ngushtë në të gjitha aspektet e jetës”,- tha ajo. (Irma)