Ministri Balla takon kreun e INTERPOL-it: Bashkëpunim mes agjencive ligjzbatuese kundër pandëshkueshmërisë
2024-06-14 17:05:35

Ministri Balla (Foto Rtsh)

Ministri i Brendshëm shqiptar, Taulant Balla, u takua me presidentin e Interpolit, Ahmed Naser Al-Raisi, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore e narkotikëve, kërcënimet kibernetike, përmirësimin e sigurisë në rajon e më gjerë, si dhe vendosjen para drejtësisë të personave në kërkim ndërkombëtar, shkruan “RTSH”.

Të dy palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit midis agjencive të specializuara të zbatimit të ligjit, për t’i dhënë fund pandëshkueshmerisë dhe për të ruajtur sigurinë e komuniteteve në mbarë botën.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi përdorimin e bazave të të dhënave dhe mjeteve të ofruara nga Interpoli, si dhe nevojën për të shfrytëzuar nismat e shumta të lançuara nga organizata, për të ndërtuar kapacitete dhe për të trajnuar personelin e zbatimit të ligjit.

Në takim u evidentua roli aktiv i Shqipërisë në mundësimin e Interpolit për të luftuar krimin e organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore dhe narkotikëve, kërcënimet kibernetike, në përmirësimin e sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Presidenti i Interpolit ndodhej në Tiranë në kuadër të Konferencës së 51-të Rajonale Europiane të Interpolit, e cila përfundoi të enjten. (Irma)