Zhvillohet në Elbasan eventi në kuadër të 75-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë
2024-06-14 10:05:08

Foto nga CMG

Në qytetin e Elbasanit u organizua eventi Dialogu Rinor Kinë-Shqipëri në kuadër të 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, deklaroi se qyteti i Elbasanit ka një miqësi të vjetër me Kinën që daton në vitet ’70, kur Kina kontribuoi për ndërtimin e Kombinatit Metalurgjik.

“Edhe sot një lagje në Elbasan quhet “Lagjja e Kinezëve”, pasi në atë kohë shumë inxhinierë dhe specialistë kineze punuan dhe jetuan në qytet së bashku me familjet e tyre. Kjo miqësi ruhet dhe forcohet në ditet tona falë marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve”,- deklaroi kryebashkiaku Llatja.

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, duke falënderuar Bashkinë e Elbasanit për mbështetjen për organizimin e kësaj veprimtarie, u shpreh se historia e Elbasanit është një pasqyrë e vërtetë e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.

“Marrëdhëniet kino-shqiptare kanë ruajtur një zhvillim të shëndoshë dhe të qëndrueshëm përballë ndryshimit të situatës kombëtare. Të dyja palët kanë çuar përpara aktivisht marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe arsimit, çka do të ndihmojë në zgjerimin e kanaleve të komunikimit mes dy popujve, si dhe do të injektojë vazhdimisht një vrull të ri në zgjerimin e marrëdhënieve kino-shqiptare.

Foto nga CMG

Të rinjtë janë trashëgimtarë të marrëdhënieve tradicionale kino-shqiptare dhe janë forca kryesore për nxitjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët mes dy palëve. Ky event organizohet me shpresën për të ofruar një bashkëpunim për të rinjtë e dy vendeve, për të shkëmbyer ide e për të mësuar nga njëri-tjetri”,- deklaroi ambasadorja kineze, e cila theksoi se Kina është e gatshme të punojë me palën shqiptare në frymën e respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit të favorshëm, si dhe të ngushtojë më tej bashkëpunimin praktik në të gjitha nivelet mes dy vendeve.

Në panelin për 75-vjetorin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës dhe të të ardhmen, që u moderua nga drejtori i Institutit Shqiptar për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Albert Rakipi, ishin të pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kinë, Kujtim Xhani, dhe kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, Spartak Nano, të cilët folën për historinë e marrëdhënieve dypalëshe.

Në panelin me temë “Të ndërtojmë urën e bashkëpunimit social-ekomik dhe arsimor”, pedagogë të Institutit Konfuci në Universitetin e Tiranës folën për të rinjtë e angazhuar për të mësuar gjuhën dhe kulturën kineze.

Ndërsa disa të rinj shqiptarë që studiojnë në Kinë, nëpërmjet video-mesazheve, sollën përvojën e tyre në këtë vend. (Irma)