Dhuna ndaj fëmijëve, Izraeli dhe Hamasi futen në listën e zezë të OKB-së
2024-06-13 10:52:31

Foto nga VCG

Izraeli dhe Hamasi janë përfshirë për herë të parë në listën e Kombeve të Bashkuara për shkelje të të drejtave të fëmijëve. Në raportin vjetor, OKB-ja bëri të ditur se lufta në Izrael dhe Gaza, si dhe konflikti në Ukrainë dhe Sudan, çoi në një numër të madh fëmijësh të vrarë dhe të plagosur në vitin 2023.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha në raport se forcat izraelite u përfshinë për herë të parë në listë për vrasjen dhe gjymtimin e fëmijëve nga IDF dhe sulmin ndaj shkollave dhe spitaleve, shkruan “Panorama”.

Hamasi, së bashku me militantët palestinezë të Xhihadit Islamik, u përfshinë gjithashtu për vrasjen, plagosjen dhe rrëmbimin e fëmijëve.

Në total, raporti i OKB-së tha se rreth 19.887 fëmijë palestinezë u raportuan të vrarë ose të gjymtuar në të gjithë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.

I dërguari i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, tha javën e kaluar se ai ishte njoftuar se ushtria izraelite ishte shtuar në listë dhe tha se ishte “i tronditur dhe i neveritur nga ky vendim i turpshëm”. (Elona)