Ministrja Balluku: Krijojmë Akademinë Ajrore të Aviacionit Civil
2024-06-13 14:13:38

Belinda Balluku (Foto RTSH)

Belinda Balluku (Foto RTSH)

Zhvillimi i shpejtë i Aviacionit Civil në Shqipëri ka nxjerrë nevojën për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore. Për këtë arsye, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi ngritjen e Akademisë Ajrore, me fokus rritjen e kapaciteteve njerëzore për të gjithë industrinë e Aviacionit Civil, bën të ditur “ATSH”.

Duke marrë fjalën në Kuvend, për projektligjin që ka të bëjë me aviacionin civil, Balluku u ndal në treguesit e këtij sektori.

“Trafiku ajror në Shqipëri ka një rritje progresive, numri i fluturimeve parashikohet të rritet me 10% gjatë vitit 2024 krahasuar me 2023-shin dhe 55% krahasuar me 2019-n, si viti i fundit normal para pandemisë. Shqipëria gjatë vitit 2023 u rendit ndër vendet e para në Europë për rikuperimin e trafikut, me një rritje 31%. Parashikimi për 2024-n tregon për një rritje me 32 % të fluturimeve”,- tha ajo.

Ministrja gjithashtu solli në vëmendje disa projekte të rëndësishme që përfshijnë aeroportin e Vlorës, si edhe atë të Gjirokastrës. Më tej, ajo shtoi se aeroporti i Vlorës do të jetë më i madhi në rajonin e Ballkanit Perëndimor. (Elona)